Aeroplan i vjetër për zbukurim10,872 orë të dhuruaraBishti i një shiriti ngecur në një aeroplan të vjetër

Çfarë është Java e Shërbimit Mozilla?
Java e Shërbimit Mozilla është një veprimtari njëjavore, gjatë së cilës po u kërkojmë individëve të dalin vullnetarë dhe, duke përdorur Web-in, të sjellin një ndryshim, për ta bërë bashkësinë e tyre më të mirë. Java e Shërbimit Mozilla bazohet në bindjen se Internet-in duhet të dijë ta përdorë cilido, të ketë mundësi të hyjë lehtë në të, dhe të gëzojë punim të kënaqshëm ndërkohë që gjendet online. Duke përdorur bujarinë dhe talentet e bashkësisë sonë për shkrim, skicim grafik, programim, zhvillim faqesh Interneti, dije të përgjithshme teknike dhe rreth Internetit, besojmë se mund ta bëjmë Web-in një vend më të mirë për këdo.
Kur bie Java e Shërbimit Mozilla?
Për 2009, Java e Shërbimit Mozilla mbahet nga 14 deri 21 Shtatori.
Kur mund ta regjistroj projektin tim?
Projektin dhe numrin e orëve të dhuruara para, gjatë, dhe pas Javës së Shërbimit Mozilla, mund t'i regjistroni. Por numërimin e orëve të dhuruara do ta ndërpresim një javë pas përfundimit të Javës së Shërbimit Mozilla, që kështu të mund të llogarisim Shumën Gjithsej. Ju këshillojmë të planifikoni projektet tuaja dhe të riktheheni këtu për të na i treguar para 28 Shtatorit, 2009.
Duhet patjetër që projekti im të sendërtohet gjatë Javës së Shërbimit Mozilla?
Dëshira jonë është të nxisim sa më shumë persona që të jetë e mundur të dhurojnë kohë dhe energji nga e tyrja gjatë Javës së Shërbimit Mozilla, 14-21 Shtator, 2009. Sidoqoftë, po qe se projekti juaj zgjatet tej këtij kuadri kohor, prapë do ta pranojmë. Gjëja më e rëndësishme për ne është fakti që po bëni diçka. Ju lutemi, rikthehuni dhe na tregoni rreth projektit tuaj, dhe sigurohuni që orët që keni dhuruar numërohen e pakta shtatë ditë pas përfundimit të Javës së Shërbimit Mozilla, që kështu të mund t'i përfshijmë te shuma gjithsej.

Po qe se dëshironi të punoni për të mirën e bashkësisë suaj vendore përpara fillimit zyrtar të Javës së Shërbimit Mozilla, mos ngurroni. Cilido që bën një ndryshim ka përkrahjen tonë.

Do të doja të ndihmoja, nga t'ia filloj?
Gëzohemi që doni të ndihmoni! T'ia filloni, është shumë e thjeshtë. Gjëja më e mirë është të lexoni përmbledhjen tonë se si të përfshiheni. Akti juaj mund të jetë i madh ose i vockël, dhe ka plot rrugë për të gjetur një mundësi vullnetarizmi. Jemi të sigurt që shumë shpejt do të sillni një ndryshim serioz.
Do të doja vërtet të ndihmoja dhe të sillja një ndryshim, po nuk ia them dhe aq nga ana teknike. Çfarë mund të bëj?
Interneti ua bën më të mirë jetën njerëzve, në gjëra të mëdha, por edhe në ato të vocklat. Nuk ka pse të dini të programoni apo të hartoni programe – e dimë që keni plot aftësi që mund t'u hyjnë në punë njerëzve. Për shembull, mund t'i tregoni dikujt se si të përdorë Skype-en, se si të blejë online, se si të regjistrohet për një llogari poste webmail, ose se si të marrë email-e në celular. Tërë këto gjëra mund të duken të vogla, por mund të sjellin një ndryshim të madh në botën online të dikujt. Çdo veprim ka peshë!
Si mund të gjej të tjerë, që të bëhemi tok e të më ndihmojnë te projekti im?
Këshillojmë që projektin tuaj ta radhisni te PledgeBank. Është mënyrë e përshtatshme për t'u bërë me dije vullnetarëve që janë të një mendjeje me ju, që kështu të regjistrohen për t'iu bashkuar projektit tuaj. Mund ta postonit projektin tuaj te rrjeti juaj i parapëlqyer shoqëror, dhe të shkruani rreth tij në blogun tuaj apo te Twitter. Pasi t'u tregoni njerëzve se çfarë po bëni, mos u habisni se sa shumë prej tyre duan të ndihmojnë!
A mund të dhuroj para për një çështje?
Po. Po qe se ka një projekt që do të donit ta mbështesnit financiarisht, bukur shumë, në e bëfshi. Sidoqoftë, duam të nxisim sa të jetë e mundur dhurimin e kohës dhe energjive në projekte të jetës së përditshme. Java e Shërbimit Mozilla organizohet që ju të mbërrini te bashkësia juaj, të takoheni me fqinjët tuaj, dhe të sillni një ndryshim. Për fat të keq, nuk mund të mbulojmë ndërshkëmbime financiare; për të bërë dhurime drejtpërsëdrejti, do të duhej të lidheshit me shoqatën që doni.
A mund të dhuroj sende, fjala vjen "hardware"?
Po. Nëse shoqëria juaj do të donte të riciklonte dhe dhuronte pajisje të vjetra, s'ka më mirë.
A mund të merrem me më shumë se një gjë?
Po qe se jeni një nga të pakursyerit, mësoni, ju lutem, që mund të ofroni vullnetarizëm për ndihmë në shumë rrugë, në më shumë se një projekt. Tërë orët që dhuroni do të futen te shuma dhe numërohen në shumën përfundimtare. Çdo gjë, dhe çfarëdo gjëje që mund të bëni, përbën një ndryshim.
Më duhet ndihmë, si mund të kërkoj që dikush të ndihmojë shoqatën time për projektin tonë të Javës së Shërbimit Mozilla?
Kemi një përmbledhje të shkëlqyer se çfarë saktësisht duhet të bëni, nëse jeni shoqatë ose individ dhe do të donit të kërkonit ndihmë. Vizitoni faqen tonë Mësoni Më Tepër, që të shihni se si të regjistroni nevojat tuaja te "site"ynë i afërm Idealist, të kërkoni nëpër ofertat ekzistuese për ndihmë, dhe shumë të tjera.
Nga ta di që personat do të jenë ata që më duhen?
Edhe pse vërtet do të donim, s'garantojmë dot që, kushdo që kërkon ndihmë, do të marrë të tillë. Bashkësia Mozilla është e gjerë dhe bujare, dhe me dëshirë të bëjë ç'është e mundur të ndihmojë. Mund të garantojmë që do të bëjmë ç'të mundemi!
A mund të kërkoj ndihmë për më shumë se një projekt?
Po, mundeni. Ka plot persona të pakursyer te bashkësia Mozilla që duan vërtet të ndihmojnë.
Si të jem i përditësuar me të tëra lajmet rreth Javës së Shërbimit Mozilla?
Nëse keni regjistruar një projekt, do t'ju dërgojmë me email njoftime lajmesh rreth Javës së Shërbimit Mozilla. Mund të shihni edhe te mozillaservice.org për përditësime, të lexoni blogun e Javës së Shërbimit Mozilla, ose të ndiqni "mozservice09" te Twitter, për përditësime.
Në ç'mënyrë tjetër mund të ndihmoj Javën e Shërbimit Mozilla?
Mund të ndihmoni të përhapet fjala për Javën e Shërbimit Mozilla – tregojuni prindërve tuaj, fqinjëve, kolegëve tuaj – kujtdo!

Ja disa ide se si mund të ndihmohet:

Vizitoni faqen tonë për shpalosjen e Javës së Shërbimit Mozilla dhe shihni mënyra të tjera për të përhapur fjalën.
Si t'i përdor në "site"-in ose blogun tim stemat e Javës së Shërbimit Mozilla?
Fillojani duke zgjedhur madhësinë dhe grafikën që ju pëlqen, mandej kopjoni kodin burim dhe hidheni ku dëshironi te site-i apo blogu juaj dhe krijoni një lidhje për te site-i i Javës së Shërbimit Mozilla: http://mozillaservice.org. Për udhëzime të hollësishme se si të shtohen stema te një site apo blog i caktuar, klikoni këtu.
Si mund të shkarkoj dëshminë zyrtare të pjesëmarrësit?
Do të ketë një formular special te site-i web i Javës së Shërbimit Mozilla, sapo të fillojë Java e Shërbimit Mozilla më 14 Shtator. Thjesht jepni emrin tuaj dhe hollësitë e projektit, dhe përzgjidhni "Shtype" që të keni dëshminë tuaj.
Ku mund të shoh më tepër shembuj se çfarë po bëhet?
Ju lutemi, kontrolloni te faqja jonë e shembujve, te Java e Shërbimit Mozilla - do të gjeni plot frymëzim nga gjëra të mira që ndodhin anembanë botës, dhe se si njerëzit po zotohen të sjellin ndryshime në bashkësitë e tyre.
A do të mbajë Mozilla një tjetër javë shërbimi?
Kjo është hera e parë që po merremi me një veprimtari të kësaj natyre. Sigurisht që do të shohim mundësinë e mbajtjes së një tjetër Jave Shërbimi Mozilla - ndaj mos na harroni!
Si mund të përfshihem te Mozilla për ta bërë Internetin më të mirë?
Mozilla është një bashkësi globale, përkushtuar krijimit të një Interneti më të mirë. Mijëra persona janë përfshirë tashmë në përmirësimin e web-it, duke krijuar programe të fuqishëm dhe duke përhapur idetë e transparencës, pjesëmarrjes, të qenët krijues, dhe kontrollit të përbashkët. Nuk ka pse të jeni programues për të sjellë një ndryshim te Projekti Mozilla, ka mjaft rrugë se si të mund të përfshihet gjithëkush. Vizitoni Join us dhe ndihmoni për ta bërë Internetin më të mirë!